Naim Frashëri lindi më 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit dhe vdiq më 20 tetor 1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros. Rridhte nga dega e Dakollarëve ose e Dulellarëve e Familjes Frashëri. Eshtrat e tij janë sjellë në Shqipëri. Ishte poeti më i madh i rilindjes kombëtare shqiptare, atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare.
Jeta
Në vendlindje bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek "Zosimea" (1869).
Me vonë punoi pak muaj në Stamboll, si nëpunës i vogël në zyrën e shtypit (1870), po iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë të mirë. Në fillim ishte nëpunës të dhjetash në Berat e më pas i doganës në Sarandë (1872-1877). Në këtë periudhë Naim Frashëri bëri prova të vjershërimit shqip, nën ndikimin e bejtexhinjve e u dha pas vjershërimit persisht, me sukses, duke botuar më vonë edhe një përmbledhje lirikash Tejhyjylat (Ëndërrimet, 1885). Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, Naim Frashëri braktisi vjershërimin persisht dhe iu kushtua letërsisë shqiptare. Poema e tij e parë e re ishte Shqipëria (1880, botuar më 1897), që entuziazmoi patriotët shqiptarë. Në Stamboll Naim Frashëri ka qenë ndër botuesit kryesorë të revistës "Drita", më pas "Dituria" (1884-1885), ku u botuan shumë vjersha të tij, proza e vargje për shkollat e para shqipe që do të hapeshin, disa shqipërime të shkrimtarit. Ai shërbente si anëtar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit, më pas si kryetar.
Krijimtaria
Më 1886 Naim Frashëri botoi poemën e tij të famshme Bagëti e Bujqësi, atë greqisht Dëshira e vërtetë e shqiptarëve (O alithis pothos ton Alvanon) dhe katër libra për shkollat: "Vjersha për mësonjtoret e para", "E këndimit të çunavet këndonjëtoreja", (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare), si dhe një "Histori të përgjithshme". Më 1888 vijoi me "Dituritë" (ribotuar më 1895 me titullin "Gjithësia", - shkenca të natyrës). Më 1890 doli përmbledhja e lirikave Lulet e verës, pastaj "Mësimet" (proza patriotike dhe të moralit) dhe Fjala flutarake (vjersha) më 1894, së fundi më 1898 poema e madhe epike Historia e Skënderbeut dhe poema fetare Qerbelaja etj.
Naim Frashëri u shqua për lirikën e tij patriotike me temë aktuale (vjershat "Gjuha shqipe", "Korçës" 1887, etj.), u këndoi me pasion të rrallë mallit dhe bukurive të atdheut ("Bagëti e bujqësia") dhe bëri thirrje të fuqishme për çlirimin e tij (krijime të ndryshme, "Dëshira e vërtetë e shqiptarëve"), si dhe për begatimin e vendit dhe një të ardhme demokratike të tij. Ai i këndoi natyrës, dashurisë (poema "Bukuria", një ndër kryesoret e tij, 1890), miqësisë, jetës intime (me brengën për të afërmit që bori). Poema "Historia e Skënderbeut"qe një kurorëzim i veprës së tij, "testamenti i tij politik e poetik", me grishje të hapëta për çlirim nga Turqia është shkruar sipas traditës së madhe barletiane. Në poemat epike ai u ndikua nga historitë e vjershëruara të Lindjes dhe nga bejtexhinjtë frashëriotë, po duke iu kundërvënë këtyre me shqipen e kulluar apo me shkarkirnin e dogmës fetare (në "Qerbelaja" dhe në veprat e tjera, që i hartoi për afrimin e elementit besimtar në lëvizjen kombëtare).
Naim Frashëri u shqua edhe për poezinë meditative, nisi në shqipet poezinë filozofike (vjersha "Perëndia" 1890). Shkroi dhe proza për të vegjlit dhe bëri disa përshtatje mjeshtërore fabulash të La Fontenit. Botëkuptimi i Naimit ishte në thelb panteist e idealist. Me admirimin e madh që kishte për racionalizimin e Dekartit dhe si pasues i shquar i iluministëve francezë Volter, Ruso, etj., me besimin e plotë në shkencat dhe në rolin e tyre revolucionar në shoqëri (pranimi i teorisë Kant-Laplas dhe i darvinizmit, që i propagandoi me guxim të madh për kohën), me demokratizimin e tij dhe antimonarkizmin, besimin në aftësitë e pashtershme të popullit të vet për të qëndruar, për t'u çliruar, për të vajtur përpara me hov, Naim Frashëri u bë një veprimtar revolucionar në tërë fushat, si shkrimtar, njeri i mendimit, njeri politik. E gjithë veprimtaria e tij letrare dhe kulturore ishte e lidhur ngushtë me çlirimin dhe përparimin e vendit, me çlirimin shpirtëror dhe ndriçimin e masave të popullit. Ai kishte besim të plotë në aftësinë e mendjes për të njohur realitetin e për të vënë në shërbim të njeriut njohjen e ligjeve të botës. Kërkonte arsimim për të gjithë, emancipimin e gruas, qeverisjen demokratike, të vendit (një "demokraci prej pleqet", pra të një ngjyre shqiptare), ngrinte lart vetitë e karakterit të shqiptarëve (besën, trimërinë, bujarinë), traditat kombëtare që nga lashtësia pelazgjike. Bënte thirrje për miqësi me fqinjtë në kushtet e respektit reciprok, shpallte dashurinë në gjithë popujt e racat, ngrihej me forcë kundër Megali Idesë e pansllavizmit, duke admiruar vetitë dhe kulturën e popujve të tjerë (poezinë përparimtare lindore, atë greke, latine, rilindjen evropiane, romantizmin evropian, prej të cilave dhe u ndikua).
Naim Frashëri luajti, përkrah Samiut e pas Kristoforidhit, një rol themelor për shqipen e re letrare, të cilën e shkroi me një pasuri të veçantë fjalori e sidomos frazeologjike, duke u mbështetur kryesisht në gjuhën e popullit, e shkroi të pastër dhe bëri një punë të dukshme për pasurimin e saj, duke e ngritur atë në lartësinë e një gjuhe arti të zhvilluar dhe kulture.
Ndikimi i Naim Frashëri, me gjallje të shkrimtarit dhe pas vdekjes, jo vetëm te shkrimtarët shqiptarë të kohës, por edhe të periudhës së mëvonshme, ishte i madh. Pas Çlirimit u vunë në pah dhe u çmuan gjerësisht meritat dhe vlerat e punës dhe të krijimtarisë së tij, përmes studimesh të ndryshme. Ribotimet e veprave të tij janë të shumta; përveç tyre janë bërë edhe disa botime kritike shkencore të veprave të Naimit. Emrin e Naim Frashërit e mbajnë shkolla dhe institucione të ndryshme. Për merita kulturore në Shqipërinë jepet urdhri që mban emrin e poetit kombëtar.
Tituj të veprave
Tejhyjylat (Ëndërrimet, 1885)
Shqipëria (1880, botuar më 1897)
Bagëti e Bujqësi [1], 1886
Dëshira e vërtetë e shqiptarëve (O alithis pothos ton Alvanon)
Vjersha për mësonjtoret e para
E këndimit të çunavet këndonjëtoreja, (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare)
Histori të përgjithshme
Lulet e verës, 1890
Mësimet, (proza patriotike dhe të moralit)
Fjala flutarake, (vjersha) 1894
Historia e Skënderbeut, (poemë epike) 1898
Qerbelaja (poemë fetare)
Perëndia, 1890
Fjalët e Qiririt (publikuar për herë të parë në numrin e parë të rrevistë "Drita")